Një situatë kaotike është regjistruar në transportin urban të qytetit të Durrësit. Pamjet e dërguara pranë redaksisë sonë tregojnë gjendjen shqetësuese në një nga autobusat e linjave urbane, ku qytetarët përballen çdo ditë me kushte të papranueshme.
Autobusi shihet i tejmbushur me pasagjerë, ndërsa mungesa e ajrosjes dhe mosfunksionimi i ajrit të kondicionuar e kthejnë udhëtimin në një përvojë të vështirë, sidomos në ditët e nxehta të verës. Por ajo që ka shkaktuar më shumë indinjatë ka qenë veprimi i shoferit, i cili sipas qytetarëve nuk ka pranuar të hapë derën, duke mbajtur udhëtarët brenda në kushte aspak normale.
Kjo ngjarje ngre edhe një herë shqetësimin e madh për transportin publik në Durrës, ku pasiguria, mungesa e higjienës dhe mbipopullimi janë kthyer në problem të përditshëm për qytetarët.