Në kuadër të restaurimit të Pazarit të Ri, u restaurua edhe pallati në rrugën Luigj Gurakuqi, por pas përfundimit të punimeve banorët janë përballur me një problem shqetësues dhe potencialisht shumë të rrezikshëm për jetën e tyre.
Në këtë pallat kanë mbetur telat e energjisë elektrike dhe të internetit të varura në tokë dhe në ajër, në një gjendje më të keqe se më parë. Kjo situatë ka shqetësuar banorët, të cilët kanë bërë disa kërkesa për zgjidhjen e problemit, por pa marrë ende një përgjigje konkrete nga autoritetet apo kompanitë përgjegjëse.

Punimet në pjesën e pasme të pallatit janë përfunduar, ndërsa nga ana e rrugës kryesore janë hequr skelat dhe pajisjet e punës, duke lënë telat në një gjendje të rrezikshme. Banorët kanë pyetur edhe punëtorët në terren dhe kanë kërkuar ndihmë përmes portaleve të bashkisë dhe qeverisë, por janë informuar se janë disa firma që punojnë në zonë, të cilat nuk ndihen përgjegjëse për këtë çështje.
Denoncimi i banorëve:
Përshëndetje. Jemi një grup banorësh që banojmë në rrugën Luigj Gurakuqi, Tiranë. Në kuadër të restaurimit të Pazarit të Ri u restaurua edhe pallati jonë. Por, pas kryerjes së punimeve, nga pas pallatit kanë mbetur telat e korentit dhe të internetit të varura në tokë dhe ajër (më keq seç ishin). Kemi pyetur, por nuk kemi marrë përgjigje. Punimet kanë mbaruar nga pas pallatit. Kanë dalë nga përpara (nga rruga kryesore, dmth) dhe i kanë hequr pajisjet (skelat). Kemi pyetur punëtorët dhe tek këto portale (bashki + qeveri). Janë 2-3 firma që punojnë, që thonë nuk merremi ne me këtë punë.

Kjo situatë përbën një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e banorëve dhe kalimtarëve. Kabllot e OSHEE dhe internetit në tokë dhe pa siguri mund të shkaktojnë tragjedi, përfshirë rreziqe nga goditjet elektrike apo pengesa që mund të shkaktojnë rrëzime.

Banorët i bëjnë thirrje urgjente autoriteteve përkatëse që të ndërhyjnë sa më parë dhe të garantojnë sigurinë në këtë zonë, duke larguar dhe vendosur në mënyrë të sigurt telat dhe pajisjet e nevojshme.
