Një konflikt i çastit për parkimin ka përfunduar në përdorimin e armës dhe plagosjen e rëndë të një të riu në zonën e Hamallajt pasditen e sotme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:40, ku pas një përplasjeje verbale mes dy personave, Altin Lekgega, 44 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Liridon Radës, 28 vjeç.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, Lekgega ka qëlluar dy herë me pistoletë, duke lënë të plagosur rëndë Radën, i cili ka marrë plumba në shpatull dhe në brinjë. Aktualisht, i riu ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin rajonal të Durrësit.
Pas krimit, autori është larguar me një automjet tip ‘Toyota Yaris’, duke u shpallur menjëherë në kërkim nga forcat e rendit. Mësohet se ai është lokalizuar dhe arrestuar në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa është shoqëruar në spital me ambulancë dhe nën mbikëqyrjen e policisë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Policia e Durrësit ka sekuestruar armën e krimit dhe po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.