“Një tmerr për banorët”, lokali në qendër të Fierit shurdhon qytetarët me muzikë live mbi 100 dB

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.08.2025, 00:17

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke vënë në qendër të vëmendjes një problem serioz të ndotjes akustike në qytetin e Fierit. Banorët e një lagjeje të tërë, në zemër të qytetit, po vuajnë prej zhurmës së padurueshme që vjen nga një lokal, e cila vijon deri në orët e vona të natës.

Qytetari ka dërguar edhe një video, në të cilën tregon se zhurma shkon në nivele të papranueshme, duke regjistruar vlera që kalojnë 100 decibel, një shifër alarmante për shëndetin e banorëve.

Ja denoncimi i plotë që ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:

"Përshëndetje JOQ. Doja të ndaja me ju një shqetësim për banorët e një lagjeje të tërë pasi nuk gjejmë zgjidhje as te policia dhe as te bashkia. Jemi në qendër të qytetit të Fierit dhe është ora 23:30. Ndërkohë, në një prej lokaleve pas Turizmit, lokali Portokallet, ofrohet muzikë live me një zhurmë të tmerrshme. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhin të tilla çudira në zonë të banuar. Ju lutem e ndaj me ju këtë shqetësim pasi vetëm tek ju mund të denoncojmë dhe të dëgjohet zëri. Lokali në fjalë quhet lokal Portokallet. E kemi lajmëruar policinë, na thonë se e ka organizuar bashkia. Kjo nuk është normale. Në mes të lagjes. Një tmerr për banorët. Qoftë edhe në mes të ditës. Kjo është prishje e qetësisë publike. E tmerrshme."

Siç shihet në videon e dërguar, situata është vërtet alarmante. Me anë të një aplikacioni për matjen e zhurmës (Sound Meter), qytetari ka regjistruar nivele decibelësh (dB) që shkojnë deri në 107.8 dB.

Kjo vlerë është shumë më e lartë se normat e lejuara për zonat e banuara, sidomos në orët e vona të mbrëmjes. Zhurma mbi 70 dB tashmë konsiderohet e dëmshme për dëgjimin dhe qetësinë, ndërsa vlerat mbi 100 dB janë potencialisht të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë dëmtim të përhershëm të dëgjimit.

Përgjigja e policisë, se aktiviteti është organizuar nga bashkia, referuar dëshmisë së qytetarit, e bën edhe më të rëndë shkeljen, duke lënë banorët të pambrojtur përballë një abuzimi të tillë. Ndotja akustike në zona të banuara është një shkelje e hapur e ligjit dhe e të drejtës themelore të qytetarëve për të jetuar në një ambient të qetë dhe të shëndetshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit