Vdes në kantier 68-vjeçari, dy punëtorë të tjerë plagosen në Tiranë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.08.2025, 21:57

Një 68-vjeçar humbi jetën në Bulqizë dhe dy punëtorë të tjerë u plagosën në Tiranë brenda vetëm 24 orëve, duke rikthyer në vëmendje pasigurinë e lartë në vendet e punës.

Ngjarja më e rëndë ndodhi në kantierin e ndërtimit të ujësjellësit të Bllacës në Bulqizë, ku mekaniku Azem Picari, 68 vjeç nga Tirana, pësoi dëmtime të rënda gjatë punës dhe ndërroi jetë në spital. Policia procedoi penalisht Arjan Hoxhën, 70 vjeç, drejtues teknik i subjektit që kryente punimet, i akuzuar për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.

Rasti ngre shqetësimin për punësimin e të moshuarve në sektorë të rrezikshëm si ndërtimi dhe minierat, shpesh për shkak të emigrimit masiv dhe vështirësive ekonomike që i detyrojnë pensionistët të vazhdojnë punën.

Projekti ku humbi jetën Picari është nisur në korrik 2024 dhe kap vlerën e 2 milionë eurove, me synimin të rikthejë në funksion rezervuarin e Bllacës për vaditjen e tokave bujqësore.

Ndërkohë, në Tiranë u shënuan dy aksidente të tjera në kantierë ndërtimi pallatesh. Në njërin rast, punëtori Q. B., 43 vjeç, ra nga lartësia dhe u dërgua në spital, ndërsa administratorit të firmës iu hap procedim penal. Në rastin tjetër, punëtori B. H., 46 vjeç, u aksidentua gjatë punës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, me përgjegjësinë që rëndon mbi një 33-vjeçar, i ngarkuar për sigurinë në punë.

Sipas raportit vjetor të Inspektoratit të Punës, vetëm në vitin 2024 janë regjistruar 177 aksidente pune, prej të cilave 33 fatale – shifër më e lartë se një vit më parë. Sektori i ndërtimit përbën 24% të aksidenteve, i ndjekur nga minierat dhe karierat me 18%.

Investigime të pavarura kanë treguar se shpesh kompanitë ndëshkohen vetëm me gjoba minimale, ndërsa përgjegjësia u lihet punëtorëve viktima, duke krijuar një kulturë pandëshkueshmërie që vijon të rrezikojë jetën e punëtorëve shqiptarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit