Një shpërthim i liseteriozës në disa vende europiane ka shkaktuar dy viktima dhe dhjetëra persona të sëmurë, me origjinë nga djathërat e butë të pasterizuar të prodhuar në Francë.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), nga dhjetori 2024 deri më 13 gusht 2025 janë raportuar 21 raste në Francë, ku 18 prej tyre janë shfaqur vetëm në muajt e fundit. Dy pacientë nuk kanë mundur t’i mbijetojnë infeksionit. Katër raste të tjera janë regjistruar në Belgjikë, Danimarkë, Holandë dhe Norvegji.
Hetimet kanë çuar në identifikimin e një prodhuesi francez të djathërave të butë nga qumështi i lopës dhe dhisë, të cilët janë shpërndarë nën marka të ndryshme në rreth 30 vende të botës, përfshirë Shqipërinë. Produktet janë tërhequr nga tregu, ndërsa autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për konsumatorët.
Çfarë është liseterioza dhe kush rrezikohet më shumë?
Liseterioza shkaktohet nga bakteri Listeria monocytogenes, që transmetohet përmes ushqimeve të kontaminuara. Simptomat më të zakonshme janë ethet, të përzierat, diarreja dhe dhimbja e kokës. Megjithatë, sëmundja mund të ketë pasoja të rënda për:
Gratë shtatzëna, pasi mund të shkaktojë abort ose lindje të vdekur,
Personat me sistem imunitar të dobësuar, të moshuarit dhe pacientët kronikë.
Në Francë, të prekurit kanë qenë nga mosha 34 deri në 95 vjeç, ku 11 prej tyre gra, ndërsa në vendet e tjera pacientët janë 35–70 vjeç.
Në cilat vende është shpërndarë djathi i kontaminuar?
Lista përfshin: Shqipërinë, Italinë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Spanjën, Zvicrën, Australinë, Japoninë dhe dhjetëra vende të tjera.
ECDC thekson se rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët, por qytetarët që i përkasin grupeve të rrezikuara duhet të tregohen veçanërisht të kujdesshëm.
Çfarë duhet të bëjnë konsumatorët?
Nëse keni konsumuar djathë të butë të pasterizuar francez dhe shfaqni simptoma si ethe, dhimbje koke, të përziera apo diarre, këshillohet që të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.