Zhduket pa gjurmë ish-numri 2 i AKSHIT, Daniel Shima

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.08.2025, 18:49

Mister në Tiranë pas denoncimit të familjes së ish-zv.drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima. Familjarët kanë deklaruar sot në polici se kanë humbur kontaktet me të prej paradites së sotme dhe nuk kanë arritur ta gjejnë më.

Menjëherë pas denoncimit, policia ka nisur kontrollet për lokalizimin e tij, ndërsa aktualisht nuk ka ende gjurmë.

Kush është Daniel Shima?
Daniel Shima ka mbajtur për disa vite postin e numrit 2 të AKSHI-t, drejtpërdrejt pas drejtoreshës së institucionit, Mirlinda Karçanaj. Ai u shkarkua në mars 2024, pikërisht ditën kur Karçanaj u thirr për disa orë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Pas daljes nga SPAK, Karçanaj është rikthyer në zyrë dhe ka firmosur shkarkimin e tij.

Ndaj Shimës janë bërë akuza publike gjatë kohës që ishte në detyrë në lidhje me abuzimet dhe vjedhjet e tenderave të organizuara nga AKSHI, ndërsa një vit më parë u raportua se ai ishte marrë nën mbrojtje nga Garda e Republikës, me vendim të posaçëm, për shkak të një rreziku të konstatuar nga institucionet ligjzbatuese. Megjithatë, nuk pati kurrë informacion zyrtar nëse ai ishte realisht i kërcënuar apo përse konsiderohej se i rrezikohej jeta.

Pak kohë më parë, edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi publikisht se Daniel Shima ka qenë i kërcënuar, duke ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi çështjen.

Zhdukja e tij e sotme hap sërish debat mbi prapaskenat e tenderave me vlerë miliarda lekë në AKSHI dhe përplasjet e mundshme brenda këtij institucioni kyç për menaxhimin e sistemeve shtetërore të teknologjisë dhe informacionit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit