Një aksident i rëndë ndodhi mesditën e djeshme në aksin rrugor Fier-Patos, ku për pasojë tre persona mbetën të lënduar.
Një automjet që drejtohej nga shtetasi me inicialet A. A., dhe pasagjere kishte shtetasen E. A., u përfshi në përplasje me një motor që e drejtonte 30-vjeçari Gazment Gropa. Për pasojë të tre mbetën të lënduar rëndë dhe u dërguan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit për të marrë ndihmën e parë.
Më pas Gazmenti, drejtuesi i motorit, u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës për shkak të lëndimeve të shumta që mori. Për fat të keq ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, duke humbur jetën ditën e sotme.
Ikja e tij ka pikëlluar familjarët dhe miqtë që e thërrisnin shkurt Gazi. 30-vjeçari ishte një i ri i apasionuar pas motorave dhe shpejtësisë, pasione të cilat i sollën dhe këtë fund të trishtë.
Hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit janë duke vijuar. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarë të ngjarjes si dhe po bëhet vëzhgimi i kamerave të sigurisë, për të ndërtuar dinamikën e aksidentit.
Apelojmë për më shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve në rrugë.
