Deputetja e VV-së, Shqipe Selimi-Mehmeti, e cila është bashkëshortja e Rexhep Selimit, nuk e ka votuar sot Donika Gërvallen për kryetare të Kuvendit të Kuvendit.
Deputetja Selimi nuk ka marrë fare pjesë në procesin e votimit për Donika Gërvallën, emër që u propozua nga Glauk Konjufca pasi dështoi Albulena Haxhiu të siguronte votat.
Në pamjet që shihen nga Kuvendi, deputetja e VV-së nuk i shikon fare kolegët e saj derisa votonin për Gërvallën.
Ndërkaq, Kuvendi në numërimin e votave kishte bërë të ditur se Gërvalla kishte 57 vota, aq sa pati edhe Albulena Haxhiu, të cilën Selimi e ka votuar.
Paparaci ka tentuar të kontaktojë me deputeten Selimi, por ajo ka qenë e paqasshme.
Gërvalla e kishte quajtur Rexhep Selimin njeri të botes së krimit.
Në vitin 2019, disa ditë pasi ishte votuar Qeveria Kurti I, Gërvalla e kritikonte ashpër VV-në që e kishte propozuar Selimin për kryetar të Grupit Parlamentar.
“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, kishte shkruar Gërvalla në rrjetin social Facebook.
Kurse, në një postim tjetër të po asaj dite, ajo pretendonte se Rexhep Selimi është njeri i botes së krimit.
“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, kishte shkruar ajo.
