Shqipërisë së gllabëruar nga oligarkët po i shitet çdo metër katror, e megjithatë manovrat me legalizimin e ndërtimeve kanë arritur deri aty sa të mos i shpëtojnë as yjet botërorë.
Rasti më i fundit është aq absurd, sa ngjan me një humor të zi: Dua Lipa, këngëtarja me famë globale, është përballur me të njëjtat mashtrime dhe grabitje që kanë goditur mijëra shqiptarë në bregdet, shkruan në rrjetet sociale avokat Arben Llangozi.
Ky i fundit shkruan se artistja kishte shfaqur interes për të blerë një vilë luksoze në Kep Merli, Ksamil një nga zonat më të kërkuara të Sarandës. Një oligark i lidhur me qeverinë i ofroi një “pronë me dokumenta të rregullta”, duke garantuar se investimi ishte i sigurt.
Dua Lipa, sipas informacioneve, pagoi shumën përkatëse, por në vend të një vile të ligjshme, mori vetëm një projekt 3D. Ndërtesa e ngritur më pas rezultoi të ishte pa leje ndërtimi, citon Llangozi.
Si për ironi, sot ajo vilë gjendet në proces legalizimi, një procedurë që në Shqipëri zvarritet për vite dhe shpesh përdoret si alibi për pastrim parash dhe ndarje të pronave të grabitura.
Ky episod nuk është thjesht një çështje prone. Ai simbolizon arrogancën e një sistemi ku oligarkët ndihen mbi ligjin: ata grabisin bregdetin, fitojnë miliona nga tenderat, shesin prona të paligjshme dhe tashmë guxojnë të mashtrojnë edhe një emër me reputacion botëror.
Në çdo vend normal, një rast i tillë do të trondiste qeverinë: media do të shpërthente, drejtësia do të vepronte me urgjencë dhe oligarku do të përballej me hetim penal. Por në Shqipëri mbizotëron heshtja. Shteti bën sikur nuk ka ndodhur asgjë, SPAK ende nuk ka reaguar dhe oligarku vazhdon i qetë ndërtime të tjera pa leje.