Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë orëve të natës në fshatin Kryekuq të Divjakës, ku një 30-vjeçar ka humbur jetën pas një sulmi me thikë. Viktimë ka mbetur Besmir Kumria, i cili u godit për vdekje në ambientet e jashtme të një kafeneje.
Sipas informacioneve paraprake, autori i krimit mbërriti me automjet, hyri drejt tavolinës ku ndodhej viktima dhe e qëlloi me thikë, duke e lënë të pajetë në vend. Ai nuk njihet nga banorët e zonës, ndërsa mungesa e kamerave të sigurisë vështirëson identifikimin e tij. Trupi i pajetë i 30-vjeçarit u dërgua në morgun e Lushnjës.
I riu punonte në Himarë dhe kishte ardhur në Divjakë për të përcjellë bashkëshorten, e cila do të udhëtonte drejt Gjermanisë për punë si infermiere. Policia vijon hetimet për të zbardhur autorin dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.