Një qytetar nga Durrësi ka ngritur një denoncim shqetësues mbi cilësinë e produkteve ushqimore në treg, duke publikuar pamje të një kosi frutash të markës “Zottis”, i cili rezulton i mykur, ndonëse ka afat skadence 16 mars 2026.
Qytetari ka treguar se produkti është blerë në marketin “Diambe” ditën e djeshme por sapo e ka hapur ka konstatuar prani të mykut në sipërfaqe, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën e ruajtjes, transportit apo kontrollit të cilësisë nga ana e subjektit tregtar.
Ky shqetësim vjen në një kohë kur qytetarët po përballen shpesh me produkte ushqimore të skaduara, mykura e jashtë çdo standardi, në shumë pika tregtare. Në këtë kontekst, denoncuesi kërkon ndërhyrjen e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke kërkuar që jo vetëm ky rast të hetohet me seriozitet, por edhe që të bëhen kontrolle të rrepta në të gjitha subjektet që shpërndajnë produktet e markës “Zottis” dhe produkte të tjera në treg.
Ai thekson se siguria ushqimore është një çështje prioritet për shëndetin publik dhe se konsumatorët kanë të drejtë të informohen dhe të mbrohen nga produkte të cilësisë së dobët, të cilat mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin.