Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 19.08.2025, 11:51
Banorët e kompleksit Green City në Astir po kalojnë një situatë dramatike për shkak të mungesës së ujit që ka zgjatur tashmë më shumë se 10 ditë. Ata denoncojnë se janë lënë pa furnizim dhe përpjekjet e tyre për të kontaktuar Ujësjellësin UKT kanë dështuar. "I marrim në telefon, ankohemi dhe na e mbyllin telefonin duke na thënë 'do u sjellim botin e ujit'", thonë banorët, të cilët janë të shqetësuar për mungesën e përgjegjësisë nga ana e autoriteteve. Sipas tyre, situata ka arritur në një pikë të papranueshme, dhe kërkojnë një zgjidhje urgjente.
Denoncimi 1
Përshëndetje, jam banore e Green City në Astir. Kemi 10 ditë që nuk na furnizojnë me ujë. Ujësjellësi UKT, i marrim në telefon, ankohemi dhe na e mbyllin telefonin duke na thënë "do u sjellim botin e ujit". Nëse doni, po ju regjistroj telefonatat me UKT sepse janë realisht super bastarda dhe nuk mbajnë përgjegjësi. Është bërë situata absurde dhe nuk na japin zgjidhje.
Gjithashtu, një tjetër problem është përmendur nga banorët e këtij kompleksi, që po paguajnë çmime të larta për ujë me orar. Ata thonë se kanë paguar 2000 euro për metër katror, por furnizimi me ujë është me orar dhe pa siguri. “Ka një javë që askush nuk po gjen një zgjidhje, dhe UKT ka thënë vetëm se sjellin bote uji me orar,” thonë ata, duke kërkuar që të paktën të kenë furnizim të rregullt, veçanërisht në këto ditë të nxehta vere.
Denoncimi 2
Përshëndetje! Kompleksi Green City, 2000 euro metër katror për ujë me orar! Ka një javë! Askush nuk gjen zgjidhje. UKT thotë që sjellin bote uji me orar!
Një tjetër denoncim është bërë nga banorët e Green City, të cilët thonë se janë lënë pa ujë për më shumë se dy javë. Administrata e kompleksit ka sqaruar se furnizimi me ujë bëhet me autobot, ndërkohë që ata po përballen me temperatura të larta dhe kanë fëmijë dhe njerëz të sëmurë në shtëpi. "Jemi pagues të rregullt të faturave dhe nuk po marrim shërbimin që na takon," thonë ata, duke theksuar se UKT nuk po përmbush detyrimet e saj ndaj qytetarëve.
Denoncimi 3
Përshëndetje! Jetojmë te kompleksi Green City në Astir, Tiranë. Kemi më shumë se 2 javë pa ujë. Administrata na thotë se nuk vjen ujë nga linja dhe furnizimi bëhet me autobot. Kemi fëmijë dhe njerëz të sëmurë në shtëpi dhe, me këto temperatura të larta, uji është i domosdoshëm. Jemi pagues të rregullt të faturave dhe nuk marrim shërbimin që na takon nga UKT, e cila nuk zbaton detyrimet e saj ndaj qytetarëve. Do hyjmë në Europë, po bidonat dhe sapllakët e ujit do t’i marrim me vete.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR