Autoritetet greke janë në kërkim intensiv të një 28-vjeçari shqiptar, i cili u arratis pasditen e djeshme nga Spitali i Përgjithshëm i Kastorias, ku po trajtohej nën masa sigurie pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Sipas raportimeve nga mediat greke, i burgosuri shfrytëzoi pakujdesinë e dy oficerëve të policisë që e shoqëronin dhe u largua nga qelia e posaçme në spital, pasi atyre iu lejua të dilte për një cigare. Deri më tani, hetimet e policisë nuk kanë rezultuar me sukses në gjetjen e tij.
28-vjeçari ishte arrestuar për vepra penale që lidhen me posedimin e lëndëve narkotike, shkelje të ligjit për të huajt dhe mosbindje ndaj autoriteteve. Ndaj tij ishin në pritje dënime të rënda, përfshirë 12 vite burg dhe një gjobë prej 50 mijë eurosh për shkelje të ligjit për drogën, si dhe një urdhër arresti nga Gjykata e Apelit në Selanik.
Policia ka ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi në të gjithë zonën e Maqedonisë Perëndimore, me kontrolle intensive në pikat kryesore rrugore, drejt Follorinës, Kozanit dhe në afërsi të kufirit greko-shqiptar, ku dyshohet se mund të ketë tentuar të arratiset.
Ndërkohë, janë ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si ndodhi arratisja dhe janë duke u hetuar veprimet e oficerëve që ishin caktuar për ruajtjen e tij.
I njëjti shtetas ishte plagosur disa ditë më parë, gjatë një përpjekjeje për të kaluar ilegalisht kufirin nga Greqia në Shqipëri, me ndihmën e një bashkatdhetari 29-vjeçar. Gjatë arratisjes së dështuar, ai theu këmbën dhe u shtrua në spitalin e Kastorias, ku edhe u krye ndërhyrja kirurgjikale që më pas i dha mundësinë për të shpëtuar nga policia.
Autoritetet greke nuk përjashtojnë mundësinë e ndihmës nga persona të tretë në arratisje, ndërsa çështja ka shkaktuar reagime dhe shqetësim për mungesën e kontrollit në rastet e të burgosurve të rrezikshëm.