Denoncimet për ndotjen masive të plazhit në Malin e Robit janë të shumta. Ambienti rreth e qark është pushtuar nga mbeturinat dhe kjo si pasojë e papërgjegjshmërisë së pushuesve dhe neglizhencës nga ana e bashkisë Kavajë me kryetar Fisnik Qosja që e ka lënë këtë zonë të qelbet si pasojë e papastërtisë.

Plazhi në Malin e Robit përpos se i ka humbur bukuria si pasojë e plehrave, rrezikon dhe shëndetin e pushuesve dhe banorëve të zonës. Situata ka bërë që qytetarët e ndërgjegjshëm të dalin dhe të pastrojnë vetë këtë bukuri natyrore të ndotur nga dora e njeriut dhe e bashkisë që nuk merr masa për pastrimin e plazhit.

Ajo që bie në sy në iniciativën që kanë marrë banorët për pastrimin e zonës, është një individ me aftësi të kufizuara, i cili dhe pse në karrocë tregon qytetari dhe kulturë. Kjo shërben si një shuplakë e fuqishme për të papërgjegjshmit që ndotin vendin dhe për Qosen e Kavajës i cili nuk merr masa për pastrimin e zonës.

Pastrimi i zonës nga individi është më shumë se një thirrje, është një apel për autoritetet që të ndalojnë injorimin dhe të reagojnë me urgjencë për të pastruar dhe mbrojtur këtë hapësirë publike. Të gjithë, pa dallim, duhet të kujdesemi për ambientin, por kur vetëm disa individë janë ata që luftojnë për të ruajtur një pjesë të natyrës, e gjithë shoqëria duhet të reagojë.
