Eltoni, muratori shqiptar që u vra me taser nga policia italiane

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.08.2025, 10:31

Elton Bani është 41-vjeçari shqiptar që humbi jetën në komunën Sant'Olcese, Genova pas një ndërhyrjeje të karabinierëve.

Ngjarja ndodhi pasditen e 17 gushtit, kur Bani, i përfshirë në një krizë të fortë agjitacioni, u përball me forcat e rendit, të cilat përdorën armën me elektroshok për ta neutralizuar.

Sipas raportimeve, gjithçka nisi kur fqinjët raportuan sjellje të dhunshme të Banit në oborrin e banesës së tij. Ai hodhi objekte, hipi në makinë dhe nisi lëvizte në mënyrë të rrezikshme. Pasi vullnetarët e ndihmës së shpejtë nuk arritën ta qetësonin, në vendngjarje mbërritën edhe karabinierët. Përpjekjet për ta bindur të bashkëpunonte dështuan dhe situata u përshkallëzua, deri në momentin kur oficerët vendosën të përdorin elektroshokun.

Tre goditje me armë elektrike rezultuan fatale. Elton Bani ra në tokë duke humbur ndjenjat dhe, pavarësisht përpjekjeve për ta ringjallur, mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Sipas mjekes ligjore Isabella Caristo, në trupin e tij u vunë re shenja të shumta goditjesh, por shkaku përfundimtar i vdekjes do të përcaktohet nga autopsia.

Bani, i cili prej vitesh jetonte në Liguria dhe punonte si murator me vëllain, ishte një figurë e njohur në komunitet. Megjithëse kishte pasur një dënim të lehtë për falsifikim, ai njihej si punëtor dhe i lidhur me familjen, ndonëse herë pas here shfaqte episode të nervozizmit.

Prokuroria e Genoves ka nisur hetimet dhe ka regjistruar dy oficerët që përdorën armën si të dyshuar për vrasje të paqëllimshme, një hap procedural që u mundëson atyre pjesëmarrjen në procesin hetimor. Familja e viktimës, përfaqësuar nga avokati Cristiano Mancuso, kërkon drejtësi dhe shpreh dyshime serioze mbi nevojën e përdorimit të elektroshokut në prani të katër oficerëve kundër një personi të vetëm, që ndodhej në gjendje të qartë shqetësimi mendor.

Vdekja e Elton Banit ka ndezur sërish debatet në Itali mbi përdorimin e armëve me elektroshok nga forcat e rendit, sidomos pasi kjo ngjarje ndodhi vetëm disa orë pas një incidenti të ngjashëm në Olbia. Politikanë, organizata të të drejtave të njeriut dhe opinionistë po kërkojnë rishikim të politikave të sigurisë dhe trajnimit të policisë, ndërsa rasti i shqiptarit mund të bëhet simbol i një debati më të gjerë mbi llogaridhënien dhe përdorimin e forcës në shtetin italian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit