Një nënë ka ndarë përvojën e saj të dhimbshme me vajzën e saj në Spitalin e Prizrenit, duke denoncuar mungesë të kujdesit dhe kushteve minimale higjienike në pediatri.
“Dua të ndaj një përvojë shumë të rëndë që kalova me vajzën time. Dje në darkë i nisi temperatura 38. E çuam në spital dhe një doktor që ishte në turn më tha se i ishte skuqur shumë fyti, më dha antibiotik dhe shurupin e temperaturës. Më paralajmëroi: nëse i hipën më shumë temperatura, ta sillja prapë,” tregon nëna.
Sipas saj, situata u përkeqësua të nesërmen: “Sot në mëngjes vajza kishte 39.7. I dhashë shurupin e temperaturës dhe e çova menjëherë në spital. Doktoresha na mbajti gjysmë ore kot, duke plotësuar letra e formularë, ndërkohë që fëmija digjej nga ethet", thotë ajo për JOQ Kosova.
Nëna shpreh shqetësimin për mënyrën se si iu morën analizat: “Kur e shpuan, ishte disi në rregull, por pastaj doli që nuk kishin kushte për të lidhur vagoin në dorën e fëmijës. E shpuan plot 7 herë, duke e bërë copë, me lot e me dhimbje, dhe në fund doktoresha tha: ‘Do e shpojmë derisa t’ia gjejmë, ose merreni e cojeni në shtëpi. Po deshe, hidh firmën dhe largoju.’”
Ajo shton: “Kur morën analizën e gjakut në fillim, as tapë nuk i vunë e as kushte minimale higjiene nuk kishte. As shërbim, as përkujdesje, asgjë. Vetëm zemërthyerje për ne nënat.”
Për shkak të përvojës së rëndë, nënë vendosi të largojë vajzën nga spitali dhe të vazhdojë trajtimin në një doktor privat.