Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme (18 gusht) në Athinë, ku 47-vjeçari Artur Bashimi, i njohur ndryshe si Turabi, është ekzekutuar me armë zjarri në kokë. Viktima, që kishte precedentë penalë të mëparshëm, është qëlluar për vdekje në rrugën “Mihail Voda 200”, në lagjen Agios Panteleimonas. Bashimi kishte pasur lidhje me aktivitete kriminale në Greqi dhe Shqipëri, duke u arrestuar disa herë për vjedhje dhe përfshirje në organizata kriminale.
Sipas hetimeve të para, Artur Bashimi ishte arrestuar më herët në Greqi, në vitin 2022, për vjedhje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale, duke kryer grabitje në mjetet e transportit publik. Ai ishte ndaluar sërish në prill të vitit 2024, për akuza të ngjashme. Vrasja e tij ka të ngjarë të lidhet me aktivitetet kriminale të vëllezërve Bashimi, të cilët janë të përfshirë në disa dosje të rënda kriminale, si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri.
Viktima është vëllai i Marsel Bashimit, i njohur ndryshe me mbiemrat Shkurtaj dhe Gozhita, një emër i përfshirë në disa dosje të rënda kriminale si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri. Marsel Bashimi është arrestuar në korrik 2022 së bashku me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të akuzuar në Shqipëri për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku. Hetimet greke po verifikojnë nëse ekzekutimi i Artur Bashimit ka lidhje me aktivitetin kriminal të vëllezërve Bashimi dhe konfliktet e tyre me grupe të tjera.