Të papërgjegjshmit e një pallati në rrugën ‘Shefqet Kuka’ pa kulturë, hedhin mbeturinat nga dritarja

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 19.08.2025, 08:28

Banorët e një pallati 6-katësh në Rrugën “Shefqet Kuka”, pranë minibashkisë nr.4, po përballen me një problem të përsëritur dhe të shëmtuar çdo natë, mbeturinat e hedhura në hapësirën e brendshme të pallatit. Sipas denoncimeve, disa nga banorët e këtij pallati, duke mos pasur ndjeshmëri për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambientit të përbashkët, hedhin mbeturina çdo natë, duke e ndotur hapësirën që është e përbashkët për të gjithë.

Pavarësisht përpjekjeve të disa banorëve të përgjegjshëm për të pastruar, ky problem është bërë rutinë dhe shkakton jo vetëm ndotje, por edhe shqetësim dhe pakënaqësi mes të tjerëve që duan të jetojnë në kushte të pastra e të shëndetshme. Nuk është vetëm një çështje pastërtie, por dhe një çështje kulture qytetare. Nëse nuk respektohet hapësira e përbashkët, si mund të pritet të jetohet në një shoqëri të shëndetshme? Ky fenomen është një pasqyrë e qartë e mungesës së edukatës dhe përgjegjësisë qytetare, duke treguar se jo të gjithë janë të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të tyre në ambient.

"Përshëndetje JOQ! Doja të denoncoja një rast shumë të shëmtuar. Unë e kam shtëpinë në pallat që ka formë katrore ku në mes ka hapësirë. Problemi është se në pallatin tonë, disa nga banorët e pandërgjegjshëm hedhin mbeturinat natën. I kemi pastruar disa herë vetë ne banorët e përgjegjshëm, por çdo natë është i njëjti problem. Ky është një problem i madh. Rruga “Shefqet Kuka” te minibashkia nr.4 në një pallat 6 katësh", shkruhet në denoncim.

Banorët e këtij pallati apelohen të ndërgjegjësohen dhe të kontribuojnë në pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta, për të krijuar një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër për të gjithë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit