Rastësi e pabesueshme: Denoncimi i JOQ për një makinë në Peshkopi çon në gjetjen e automjetit të vjedhur në Durrës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.08.2025, 00:17

Një rast i pazakontë është regjistruar pasi JOQ Albania publikoi një story në lidhje me një denoncim të një qytetari në Peshkopi, i cili ankohej për një makinë të parkuar prej muajsh mbi trotuar, në rrugën që të çon drejt terminalit të qytetit.

Në foton e publikuar shihej një mjet i kuq pa targa, i lënë aty prej rreth 5 muajsh. Mirëpo, rastësia bëri që një tjetër qytetar të vërente edhe mjetin tjetër, një Opel me ngjyrë të zezë, të parkuar ngjitur me të.

Ky qytetar nga Durrësi u lidh me redaksinë tonë duke treguar se makina që shfaqej në foto i ngjante shumë mjetit të tij, i cili i ishte vjedhur në muajin dhjetor 2024 në Durrës. Ai dërgoi targën e automjetit të tij, e cila përkonte saktësisht me atë të mjetit në foto (targë që ne e kishim mbuluar për arsye privatësie).

“Jam interesuar më shumë për këtë foton sepse në dhjetor të vitit 2024 më kanë vjedhur makinën në Durrës dhe me çfarë po shoh, ky Opel i zi ka disa shenja të ngjashme”, – u shpreh qytetari për JOQ.

Ky rast i jashtëzakonshëm tregon sesi përmes një denoncimi për një problem lokal, u arrit të zbulohej edhe vendndodhja e një mjeti të vjedhur, duke i dhënë fund muajve të pasigurisë për pronarin e tij.

Aktualisht, qytetari nga Durrësi është nisur drejt Peshkopisë për të verifikuar gjendjen e mjetit të tij, ndërsa pritet ndërhyrja e policisë për procedurat përkatëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit