Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë, nëse kjo do të shërbente për të garantuar një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë.
“Do t’ju njoftojmë për këtë, ndoshta më vonë sot”, tha Trump, duke lënë të hapur opsionin e përfshirjes ushtarake të SHBA-ve në terren.
Kjo qasje shihet si një ndryshim i madh në politikën e deritanishme, pasi Ukraina e konsideron praninë e garancive të sigurisë si kusht thelbësor për një marrëveshje përfundimtare me Moskën.
Trump theksoi se Evropa do të ketë rolin kryesor në sigurimin e paqes, por SHBA do të jenë të angazhuara.
“Ata janë vija e parë e mbrojtjes, sepse janë atje, në Evropë. Por ne do t’i ndihmojmë. Gjithashtu, do të jemi të përfshirë”, tha presidenti amerikan.
Ai shtoi se një marrëveshje paqeje, nëse arrihet, do të zbatohet me seriozitet:
“Ne do të punojmë me Ukrainën, do të punojmë me të gjithë, për t’u siguruar që paqja të jetë afatgjatë. Nëse mund të arrijmë paqen, e di që do të funksionojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë.”