Dyshohet nga detergjenti, vdesin dy foshnja në spitalin italian

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.08.2025, 18:51

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku dy foshnja të lindura para kohe humbën jetën në spitalin San Maurizio të Bolzanos, si pasojë e një infeksioni të rëndë bakterial.

Të porsalindurit, të cilët peshonin më pak se një kilogram dhe kishin lindur përkatësisht në javën e 23-të dhe 27-të të shtatzënisë, u prekën nga bakteri Serratia marcescens, i cili mund të jetë fatal për pacientët me imunitet të dobët. Dy foshnjat ndërruan jetë më 12 dhe 13 gusht nga infeksioni.

Sipas autoriteteve shëndetësore italiane, burimi i infeksionit lidhet me një detergjent industrial për larjen e enëve, i cili përdorej nga spitali. Pas dyshimeve, detergjenti u tërhoq menjëherë nga tregu dhe u ndalua përdorimi i tij në mjediset shëndetësore të Bolzanos.

Drejtori mjekësor i Autoritetit Shëndetësor të Tirolit Jugor, Josef Widmann, theksoi se rreziku për këta pacientë të vegjël është i lartë për shkak të sistemit të tyre imunitar ende të papjekur. Ndërkohë, drejtori i spitalit, Pierpaolo Bertoli, tha se prania e këtij mikroorganizmi përbën një rrezik të vazhdueshëm për repartet e neonatologjisë.

Drejtoresha mjekësore, Dr. Monika Zaebisch, bëri të ditur se deri në një njoftim të dytë, spitali nuk do të pranojë më të porsalindur të parakohshëm me rrezik të lartë, për të shmangur raste të tjera fatale.

Ndërkohë, Prokuroria e Bolzanos ka nisur hetimet dhe po shqyrton urdhërimin e autopsisë së foshnjave, për të përcaktuar nëse vdekjet e tyre lidhen me lëshime apo neglizhencë, çka mund të çojë edhe në ndjekje penale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit