Rama i jep mikut izraelit monopolin e automjeteve të ushtrisë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.08.2025, 18:23

Një seri transaksionesh të dyshimta dhe marrëveshjesh të mbyllura nën rrogoz kanë sjellë në duart e një biznesmeni izraelit monopolin e furnizimit të ushtrisë shqiptare me automjete.

Më 17 qershor, kompania Timak, e cila është promovuar shpesh nga qeveria si një model suksesi, shiti 49% të aksioneve të saj për një shumë qesharake – vetëm 490 euro. Blerësi ishte Ron Yeffet, një izraelit me nënshtetësi shqiptare dhe i njohur si mik personal i kryeministrit Edi Rama.

Vetëm dy muaj më pas, më 4 gusht, Timak dhe shoqëria shtetërore ushtarake Kayo themeluan kompaninë e përbashkët Timak Defence, e cila do të ketë objekt prodhimin dhe përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për Forcat e Armatosura, policinë, gardën dhe emergjencat civile. Praktikisht, kjo kompani do të ketë monopolin e furnizimit të strukturave shtetërore me automjete.

Kjo lëvizje u shoqërua edhe me një tjetër zhvillim të bujshëm: vetëm pesë ditë pas krijimit të kompanisë së re, qeveria dërgoi policinë dhe ushtrinë për të nxjerrë me forcë gazetarët e News24 nga godina ku sot do të zhvillojë aktivitetin Timak Defence, në ish-uzinën e pjesëve të këmbimit në Shkozë.

Biznesmeni Ron Yeffet nuk është emër i panjohur për Shqipërinë. Ai është përfshirë më parë në projekte të bujshme, mes tyre tentativa për të hyrë në Air Albania dhe përpjekja për të marrë truallin e Ambasadës Shqiptare në SHBA për ndërtim rezidencial – aferë e denoncuar publikisht nga ish-ministri Arben Ahmetaj. Ky i fundit ka rrëfyer gjithashtu se Rama i kishte kërkuar t’i kalonte borxhin publik shqiptar mikut të tij izraelit.

Në Senegal, Yeffet arriti të përfitonte 10 mijë metra tokë shtetërore buzë detit për një projekt marinash dhe kullash, por kontrata iu anulua sapo ndryshoi pushteti. Ndryshe nga atje, në Shqipëri biznesmeni duket se ka gjetur terrenin më të përshtatshëm falë miqësisë së ngushtë me kryeministrin.

Me dhjetëra milionë euro që shpenzohen çdo vit nga shteti për automjete ushtarake e policore, Timak Defence pritet të kthehet në një nga bizneset më fitimprurëse në vend. Por mbetet e paqartë se çfarë vlere të shtuar do të sjellë kjo kompani, pasi Shqipëria nuk prodhon automjete, por vetëm i importon dhe i përshtat për përdorim ushtarak e civil.

Ndërsa shumë vende të tjera i mbyllin derën aferave të tilla, Shqipëria duket se mbetet një parajsë për biznesmenët e lidhur ngushtë me pushtetin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit