Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë që ndodhi mesditën e sotme në aksin Komotini-Ksanthi në Greqi, ku humbën jetën tre shqiptarë — dy burra dhe një grua — ndërsa disa të tjerë u plagosën.
Ngjarja tronditëse ndodhi në kilometrin 537.5 të autostradës Egnatia, kur një kamion u përplas me dy makina të ndalura në një radhë prej rreth 600 metrash. Pas përplasjes, automjetet shpërthyen në flakë, duke i marrë jetën tre shtetasve shqiptarë.
Sipas raportimeve nga ERT, pasagjerët e makinave udhëtonin nga Epiri në Evros për të marrë pjesë në një dasmë dhe aksidenti ndodhi gjatë kthimit të tyre.
Dëshmitarët okularë tregojnë se pas përplasjes, viktimat bënin thirrje për ndihmë, por askush nuk arriti t’i nxirrte nga automjetet që po digjeshin. Flakët përfshinë menjëherë njërin prej mjeteve, ndërsa shoferët që kalonin pranë mbetën të pafuqishëm përballë zjarrit të rrezikshëm.
Policia greke ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik.