U godit disa herë me Taser nga karabinierët, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.08.2025, 18:14

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Itali, ku Elton Bani, 41 vjeç, me origjinë shqiptare, humbi jetën pasi u godit disa herë me Taser nga karabinierët. Ngjarja tragjike u shënua në Manesseno, një lagje e komunës Sant’Olcese, në provincën e Genovas.

Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja nisi rreth orës 17:00, kur fqinjët thirrën shërbimet e emergjencës duke njoftuar për një konflikt dhe sjellje të çrregullt nga Bani. Fillimisht mbërritën vullnetarët e ambulancës, të cilët e gjetën 41-vjeçarin në gjendje të rënduar nervore dhe kërkuan ndërhyrjen e karabinierëve.

Dy patrulla arritën në vendngjarje dhe e gjetën Banin në makinën e tij. Ata tentuan ta qetësonin dhe ta bindnin të shkonte në shtëpi për të marrë dokumentet. Fillimisht ai u tregua bashkëpunues, por në shkallët e pallatit shpërtheu sërish në agresivitet dhe nisi të kundërshtonte me forcë.

Në përpjekje për ta neutralizuar, njëri nga karabinierët përdori Taser-in, duke e goditur fillimisht me një shkarkesë të lehtë. Më pas pasuan edhe dy shkarkesa të tjera, nga dy efektivë të ndryshëm. Pas goditjes së tretë, Elton Bani ra përtokë pa ndjenja. Ndihma e shpejtë tentoi ta reanimonte, por pak minuta më pas u konstatua vdekja e tij.

Prokuroria e Genovas ka hapur një hetim për “vrasje nga pakujdesia” dhe ka vënë nën hetim dy karabinierët që përdorën armën elektrike. Një autopsi është urdhëruar për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, si dhe për të hetuar nëse shkarkesat e Taser-it, gjendja shëndetësore, apo përdorimi i mundshëm i alkoolit apo substancave të tjera ndikuan në ndalimin e zemrës së tij.

Ky është rasti i dytë brenda 48 orësh në Itali ku një person humb jetën pas përdorimit të Taser-it nga forcat e rendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit