Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë të hënë në Greqi, ku tre shtetas shqiptarë raportohet se kanë humbur tragjikisht jetën pasi automjeti i tyre u përfshi në një përplasje fatale në pikën e pagesës Iasmos, në autostradën Egnatia-Odos.
Sipas mediave greke, një kamion i drejtuar nga një shtetas bullgar, u përplas me dy automjete që ndodheshin në radhë për të kaluar traun e pagesës. Përplasja ka qenë aq e fortë saqë automjetet kanë shpërthyer menjëherë në flakë, duke shkaktuar një skenë të frikshme në vendin e ngjarjes.
Në njërën prej makinave që u dogj totalisht ndodheshin katër shtetas shqiptarë identitetet e të cilëve nuk janë publikuar ende. Bëhet fjalë për një burrë 59-vjeçar (shoferi), një burrë 61-vjeçar (pasagjer), një grua 57-vjeçare dhe një grua tjetër 49-vjeçare.
Fatkeqësisht, tre prej tyre humbën jetën të djegur nga flakët, ndërsa vetëm njëri prej pasagjerëve arriti të shpëtojë duke dalë nga automjeti në momentet e fundit.
Në automjetin tjetër ndodheshin katër shtetas grekë, mes tyre shoferi një 36-vjeçar, një pasagjer 28-vjeçar dhe dy fëmijë të mitur, 4 dhe 5 vjeç. Ata fatmirësisht kanë shpëtuar me lëndime të lehta dhe janë transportuar në spitalin e Komotinit.
Nga ana tjetër, raportohet se shoferi bullgar i kamionit ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Për shkak të përplasjes, zjarri u përhap me shpejtësi edhe në zonat përreth autostradës, duke përfshirë sipërfaqe rurale. Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë për të shuar flakët dhe për të hapur qarkullimin në këtë segment.