Çahet tubacioni i ujit të pijshëm në një pallat, Ujësjellësi Kuçovë nuk i zgjidh problemin banores

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 18.08.2025, 15:52

Një banore nga Kuçova ka ngritur një shqetësim serioz për një problem të vazhdueshëm me rrjedhjen e ujit në pallatin e saj, në lagjen "11 Shkurti". Ajo ka denoncuar se tubacioni i ujit të pijshëm është dëmtuar dhe uji rrjedh vazhdimisht, duke përmbytur hyrjen e pallatit dhe duke shkaktuar dëme në murin e dhomës së gjumit. Për më tepër, thotë se ka kërkuar ndihmë nga Ujësjellësi i Kuçovës, por ende nuk ka marrë asnjë zgjidhje.

Sipas denoncueses, është e vështirë të jetojnë në këtë situatë, pasi është me pleqëri dhe ka fëmijë të vogël. Ajo shton se, edhe pse Ujësjellësi i Kuçovës ka vizituar për të parë problemin, ata janë deklaruar se është e vështirë të bëhet ndonjë zgjidhje për shkak të saraqineskave të vjetra. Ndërkohë, ajo thekson se, megjithatë, nuk ka pasur asnjë veprim konkret për të zgjidhur situatën, dhe uji vazhdon të rrjedhë si lumë, duke krijuar vështirësi të mëdha për jetesën.

"Përshëndetje, Jeta është qejf. Dua të denoncoj Ujësjellësin në Kuçovë që nuk po u përgjigjet thirrjeve tona. Jam qytetare e qytetit të Kuçovës dhe në lagjen "11 Shkurti", në pallatin tim, në tubacionin e ujit të pijshëm ka plasur uji për qejfin e vet. I kemi kontaktuar Ujësjellësin e Kuçovës dhe nuk na kanë ardhur në ndihmë. Është e vështirë si situatë. Ai punonjësi aty është për të zgjidhur çdo problematikë pa shkallë vështirësie, apo jo? Jam me pleqëri në shtëpi dhe me fëmijë të vogël, uji po rrjedh çdo 10 minuta, derdhim kovat që mbushen se përmbytet hyrja dhe është hapur uji nga muri ku unë kam dhomën e gjumit në atë anë të murit. Nuk po mundemi dot më. Ju lutem, ngrijeni zërin tonë, se s’po na dëgjon kush. Që ditën e martë është dëmtuar. Erdhën një herë nga Ujësjellësi, thanë se është e vështirë, janë saraqineska të vjetra, por nuk kanë bërë zgjidhje, siç e shikoni. Uji rrjedh si lumë. Kemi sajuar me ato bidonat, por përsëri uji rrjedh dhe në pjesë të tjera", shkruan qytetarja për JOQ Albania.

Banorja kërkon një reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se kjo situatë ka ndikuar rëndë. Ujësjellësi i Kuçovës të marrë masa urgjente për të ndalur rrjedhjen e ujit dhe për të parandaluar dëmet e mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit