Një banor i njësisë 7 në Tiranë ka ngritur një shqetësim të madh për mbingarkesën në kopshtet e fëmijëve. Sipas tij, kopshtet janë të mbushura me më shumë se 50 fëmijë në një grup, duke bërë të pamundur regjistrimin e fëmijëve të rinj. Ai thotë se, përveç banorëve të zonës, janë regjistruar edhe fëmijë nga zona të tjera, duke rritur edhe më shumë ngarkesën. Për më tepër, ai është përpjekur të regjistrojë fëmijën online, por ende, pas tre muajsh, nuk ka marrë asnjë përgjigje për statusin e regjistrimit.
Denoncimi 1:
Përshëndetje, uroj të jeni mirë. Doja të ndaj me ju një problem shumë të madh në lidhje me kopshtet e fëmijëve. Unë që po ju shkruaj jam një banor i njësisë 7 në Tiranë. U interesova për të regjistruar fëmijën në kopësht, por më thanë se është e pamundur të regjistrohet pasi kopshtet janë të mbingarkuara me fëmijë, 50 fëmijë në një grup. Besoj se aty janë regjistruar fëmijë edhe nga zona të tjera. Gjithsesi, u mundova të bëj regjistrim online, pasi mendoj se duhet ta regjistroj fëmijën në kopsht si banor i kësaj njësie dhe për më tepër jemi të dy prindërit në punë. Kemi 3 muaj që presim për përgjigje nëse janë pranuar apo jo, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk dimë si të veprojmë. Me respekt.
Një tjetër denoncim për drejtorinë e Çerdheve dhe Kopshtet e Tiranës është lidhur me vonesat në regjistrimin e fëmijëve në çerdhet shtetërore. Pas regjistrimit të fëmijëve në platformën online që në muajin qershor, shumë prindër presin ende për një konfirmim, edhe pse kishte njoftime që përfundimi i procesit do të bëhej deri në datën 15 Gusht. Disa prindër raportojnë se fëmijët janë mbetur pa kujdes dhe ata kanë probleme serioze me punëdhënësit, pasi nuk kanë ku t’i lënë fëmijët. Ata kërkojnë një zgjidhje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Denoncimi 3:
Përshëndetje JOQ! Kam një denoncim drejtuar Drejtorisë së Cerdheve dhe Kopshtet e Tiranë. Rregjistrimi i fëmijëve përmes në cerdhet shtetërore në Tiranë u krye në platformën online platforma “e-femijet.tirana.al” që në muajin Qershor dhe sipas njoftimeve, pritej të merrnim konfirmim në datën 15 Gusht. Sot jemi akoma në pritje, asnjë përgjigje nuk ka ardhur! Fëmijët i kemi rrugëve dhe ne si prindër kemi mbetur pa zgjidhje, duke pasur probleme serioze edhe me punëdhënësit, pasi nuk kemi ku t’i lëmë fëmijët. Kjo është papërgjegjshmëri totale nga institucionet! Kërkesat tona janë të ligjshme dhe urgjente fëmijët kanë të drejtë të frekuentojnë cerdhet dhe prindërit kanë të drejtë të punojnë pa u marrë peng nga vonesat dhe neglizhenca. Institucionet përgjegjëse duhet të japin menjëherë zgjidhje!
Deri tani nuk ka patur asnjë reagim nga ana e Bashkisë së Tiranës apo drejtoresha e Çerdheve dhe Kopshteve Tiranë Zhaneta Beqiri. Prindërit kërkojnë ndërhyrje urgjente. Ata kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, pasi kjo situatë ka krijuar vështirësi të mëdha për ata dhe për fëmijët. Vonesa dhe neglizhenca nuk mund të vazhdojnë, pasi fëmijët kanë të drejtë të frekuentojnë çerdhet dhe prindërit kanë të drejtë të punojnë pa u shqetësuar për mungesën e kujdesit ndaj fëmijëve të tyre. Institucionet duhet të reagojnë me urgjencë dhe të gjejnë një rrugëdalje të menjëhershme për të zgjidhur këtë problem.