Nëse po planifikoni një pushim veror në bregdetin e Europës, përgatituni për çmime të kripura dhe nevojën për rezervime javë përpara. Plazhet më të njohura të Mesdheut, nga bregu i Amalfit në Itali deri te gjiret e Ibizës në Spanjë, po dominohen gjithnjë e më shumë nga operatorë privatë, duke e bërë qasjen në det një luks për shumë pushues.
Vetëm një palë shezlongë me çadër në kulmin e sezonit mund të kushtojnë nga 20 deri në 50 paund në ditë, ndërsa në resortet më të shtrenjta çmimet kalojnë edhe qindra euro. Rekordin aktual e mban Club La Cabane në Costa del Sol të Spanjës, ku një krevat plazhi për tre persona arrin deri në 1,200 euro, përfshirë vetëm një kupon 200 euro për shampanjë.
Në Positano të Italisë, paketa “Perfect Beach Day” në Arienzo Beach Club kushton 600 euro për dy persona, ndërsa në La Scogliera, dy shezlongë arrijnë deri në 848 euro, pa përfshirë ushqimin. Rritja e çmimeve ka shkaktuar reagime të forta mes banorëve lokalë, veçanërisht pasi kostoja e shezlongëve në Itali është rritur me 17% në katër vitet e fundit.
Situata nuk ndryshon as në Spanjë apo Monako. Në Mallorca, një krevat në UM Beach House shitet për 700 euro në ditë, ndërsa në Ibiza, Atzaro Beach ofron të njëjtin shërbim për 350 euro. Në Monte-Carlo Beach Club në Monako, një shezlong kushton 350 euro, ndërsa në jug të Francës, në La Réserve à la Plage, çmimi është 250 euro për dy persona.
Megjithatë, nuk mungojnë alternativat më të përballueshme. Në Playa Esmeralda, në Costa Smeralda të Sardenjës, pushuesit mund të shijojnë plazhin me vetëm 15 euro në ditë për dy shezlongë.
Ndërkohë edhe Shqipëria nga viti në vit po ndryshon pasi nëse dikur çmimi më i lartë i një shezlongu ishte 20 mijë lekë të vjetra, tani ky çmim është kthyer në “normalitet” pasi ka shezlongë e kabana që arrijnë deri në 200€ dhe të gjesh një shezlong 500 lekë reja është pothuajse e pamundur.