Sipas një studimi të publikuar në The Indian Express, shikimi i vazhdueshëm i videove të shkurtra, si ato në TikTok, Instagram Reels apo YouTube Shorts, mund të shkaktojë efekte negative mbi trurin.
Kjo shpjegohet me aktivizimin intensiv të sistemit të shpërblimit (reward system), përmes dozave të shpejta të dopaminës që krijohen me çdo “scroll”, duke përfshirë trurin në një cikël kërkimi për kënaqësi të menjëhershme. Në këto kushte, kujtesa afat-shkurtër, fokusimi dhe vetëkontrolli mund të dëmtohen seriozisht.
Për më tepër, mungesa e thellësisë dhe shpejtësia e konsumimit të këtyre videove çon në ndryshime strukturore dhe funksionale në trurin e adoleshentëve dhe të rinjve, veçanërisht në zonën e korteksit prefrontal, pjesa thelbësore për vetëkontrollin dhe vendimmarrjen.
Ekspertët theksojnë se konsumimi i përmbajtjes së shkurtër mund të dëmtojë trurin deri në pesë herë më shumë se alkooli, pasi ndryshon sistemin e shpërblimit dhe ul aftësinë për t’u përqendruar.
Një tjetër studim i bazuar në fMRI zbuloi se individët me simptoma më të shprehura të “varësisë” nga videot e shkurtra karakterizohen nga aktivizim i ulët në precuneus, një zonë e trurit përgjegjëse për reflektimin dhe vetëdijen, dhe reagime më impulsive në vendimmarrje me rrezik (si humbje financiare të mundshme). Kjo tregon një prirje drejt vendimeve të çuditshme dhe impulsive, e ngjashme me sjelljet e varësisë nga substancat të tilla si alkooli.
Studimet tregojnë se konsumimi i shpeshtë i videove të shkurtra mund të reduktojë vetëkontrollin dhe aftësinë për përqendrim dhe planifikim afatgjat.
Sjellja impulsive dhe dëshira për shpërblim të menjëhershëm (dopamina) mund të ndryshojnë strukturën dhe funksionin e trurit, veçanërisht tek të rinjtë.
Edhe pse nuk është toksik si alkooli, ky lloj konsumimi mund të ndërtojë një varësi psikologjike me pasoja afatgjata në mirëqenien mendore dhe performancën individuale.