Një qytetare i është drejtuar redaksisë për të denoncuar një mjeke të Urgjencës në Durrës, e cila, sipas saj, ka refuzuar të ofrojë trajtim për pacientët që nuk japin rryshfet. Pacientja tregon se kishte kërkuar trajtim të urgjencës për anemi, por mjekja e refuzoi trajtimin dhe nuk pranoi t'i jepte hekur venoz, edhe pse e kishte në gjendje urgjente. Sipas saj, kjo mjeke ka shmangur çdo kontakt dhe trajtim, duke lënë pacientët të rrezikojnë shëndetin e tyre.
Qytetarja pohon se ka pasur 17 dëshmitarë të cilët po prisnin në radhë dhe mund të konfirmojnë për ngjarjen. Po ashtu, sipas saj, janë të pranishme edhe kamerat e sigurisë në spital, të cilat mund të vërtetojnë sjelljen e mjekes dhe refuzimin për t'u kujdesur për pacientët. Ajo ka filmuar gjithashtu situatën dhe ka bërë denoncimin përmes një videoje, ku tregohet mjekja që largohet nga vendi, duke lënë pacientët pa trajtim.Për shkak të refuzimit për shërbim në Urgjencën e Durrësit, pacientja është detyruar të udhëtojë drejt Tiranës për të marrë trajtimin e nevojshëm.
"Dua të bëj një denoncim urgjent për këtë doktoreshën plehra në Urgjencën e Durrësit që të sëmurët me anemi nuk i prek me dorë se nuk japin ryshfet. Policia nuk e hapi telefonin në këtë moment. Janë dëshmitarë shumë persona që po prisnin në radhë, pra të sëmurë. Janë dhe kamerat e sigurisë në urgjencë. Ishin 17 dëshmitarë. Kam bërë video dhe denoncim ku ajo ikën nga aty. Nuk pranoi të më japë hekur venoz që e kisha me urgjencë. Po detyrohem të shkojë në Tiranë të marrë shërbimin. Bëra analizat dhe mjekim nuk më japin në urgjencën e Durrësit, kjo doktoresha", shkruan qytetarja.