Një pacient që po trajtohet për tumor ka ngritur një shqetësim të rëndë lidhur me mungesën e ilaçit të nevojshëm për terapinë e tij, Imatis. Ai tregon se për më shumë se tre javë ilaçi nuk ka arritur në farmaci, duke i shkaktuar një situatë kritike për shumë pacientë që varen nga ky ilaç për trajtimin e tyre.
Përmes një mesazhi, pacienti ka shprehur se përgjigjet që ka marrë janë gjithmonë të paqarta: “Na thonë çdo ditë 'Do vijnë nesër', por asgjë nuk ka ndodhur.” Situata ka përkeqësuar gjendjen e pacientëve, disa prej të cilëve kanë përjetuar rënien e ndjenjës dhe të fikët, duke rritur rrezikun për shëndetin e tyre.
Pacienti apelon për ndërhyrjen e menjëhershme nga autoritetet shëndetësore për të garantuar ilaçet e nevojshme dhe që pacientët të mund të vazhdojnë terapinë jetike për shërimin e tyre. Apeli është për një reagim urgjent, që të mos ketë pasoja fatale për jetët e pacientëve të prekur nga tumori.
Mesazhi i mbërritur në redaksi:
Përshëndetje! Kam një shqetësim shumë të madh. Jam një person që jam operuar me tumor, dhe normalisht përfitoj mjekimin falas nga shteti, sepse në Shqipëri nuk i mban askush këto lloj ilaçesh "terapi". Por kam rreth 3 javë që ilaçet nuk na i sjellin, për 1 mijë arsye të ndryshme. Unë përdor konkretisht ilaçin Imatis. Ju lutem, postojeni, sepse si puna ime jemi shumë veta që marrim terapi nga ky lloj ilaçi. Po na vdesin me dijeni. Ju lutem, postojeni. Faleminderit! Thjesht thonë: "Do vijnë, hajde nesër". Kur shkon prapë, s’kanë ardhur akoma: "Hajde pas 2 ditësh", edhe këto përgjigje çdo herë. Por ditët kalojnë, unë jam i sëmurë, më duhet terapia. Po ngaqë më ka rënë disa herë të fikët, u detyrova t’ju drejtohem juve për këtë gjë minimaliste që duhet patjetër të na japin ilaçet.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ministre Albana Kociu, si institucioni përgjegjës për furnizimin me ilaçe dhe menaxhimin e terapive mjekësore, duhet të ndërhyjë menjëherë për të siguruar që ilaçet të arrijnë dhe pacientët të mund të vazhdojnë trajtimin e nevojshëm për shërimin e tyre.