Banorët e zonës së Freskut kanë bërë një denoncim për zaptimin e hapësirave publike të dedikuara për parkimin e makinave. Sipas tyre, në 2-3 javët e fundit janë zaptuar tre hapësira parkimi me trekëndësha me çelës, të cilat përdoren prej vitesh nga banorët për të parkuar. Ata tregojnë se kjo situatë po krijon tensione, pasi banorët prej 15 vitesh përdorin këto hapësira dhe nuk kanë pasur më parë raste të tilla.
Sipas denoncimit, zaptuesit janë dy persona, njëri prej të cilëve është punonjës policie, ndërsa tjetri punonjësi i një televizioni. Banorët i bëjnë thirrje Policisë Bashkiake që të ndërhyjë menjëherë për të parandaluar konfliktet, si dhe Policisë së Shtetit që të disiplinojë punonjësit e vet dhe t’i ndalojë sjelljet e papranueshme në lagje.
"Përshëndetje JOQ! Jam një qytetare e zonës së Freskut dhe dua të denoncoj zaptimin e një hapësire publike, ku ne si banorë sajohemi për parkimin e makinave. Këto 2-3 javët e fundit janë zaptuar 3 hapësira parkimi me trekëndësha me çelës. Kemi 15 vite e më shumë që banojmë këtu, por kurrë nuk e kemi menduar të bëjmë zaptuesin. Zaptimi, si për habi, vjen nga dy persona: njëri punonjës policie dhe tjetri një gazetar i TV Klan. I bëjmë thirrje përmes jush, së pari Policisë Bashkiake, që të marrë masa të menjëhershme, sepse nuk do të jetë e largët dita kur mund të konflitkohet dikush për këtë gjë. E dyta, Policisë së Shtetit që të disiplinojë punonjësit e vet, të mos sillen si gangsterë në lagje, duke i thënë edhe administratorit: "Ç’ke ti, se merrem unë me bashkiakët." Gjithashtu, edhe një thirrje për TV Klan që të merren me punonjësin e tyre, që të mos bëhen lajm për të tjerët. Duke shpresuar në mirëkuptimin e zaptuesve, presim reagimin e tyre; në të kundërt do të jetë vonë për gomat apo xhamat e tyre. Kemi bërë gjithandej ankesa dhe nuk ka asnjë reagim konkret. Për sa kohë trekëndëshat gjenden aty akoma, i bie që nuk e ka marrë askush seriozisht. Ju falënderojmë për denoncimin. Faleminderit ju për bashkëpunimin", shkruhet në denoncim.
Pavarësisht ankesave të shumta të banorëve, deri tani nuk ka pasur reagim konkret nga autoritetet përgjegjëse. Banorët paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet shpejt, situata mund të përshkallëzohet dhe të ketë pasoja të padëshiruara për pronat e zaptuesve. Ata presin reagim dhe zgjidhje sa më të shpejtë për këtë problem që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
Punonjësi i TV thekson se banorët e pallatit ku jeton nuk kanë paraqitur asnjë ankesë zyrtare ndaj tij. Sipas tij, në të njëjtin vend parkojnë edhe makina të tjera, disa prej të cilave qëndrojnë për periudha më të gjata, deri në 2-3 ditë, duke krijuar situata parkimi edhe në dysh apo në tresh. Ai gjithashtu sqaron se nuk është punonjës i TV Klan që nga muaji shkurt, duke u ndarë nga pretendimet e mëparshme që e përfshinin në denoncim.
"Përshëndetje! Në lidhje me publikimin e ankesës për parkimin tim të jashtëligjshëm, dua të sqaroj se nuk e shoh të arsyeshme një veprim të tillë, pasi banorët e pallatit ku banoj nuk kanë paraqitur ndonjë ankesë ndaj meje. Për më tepër, në të njëjtin vend zakonisht parkojnë edhe makina të tjera, të cilat qëndrojnë për periudha më të gjata, madje edhe për 2-3 ditë, edhe parkime në dysh ose në tresh! Dhe sa për informacion, nuk jam punonjës i TV Klan që nga muaji shkurt", shkruan ai.