Banorët e Valiasit denoncojnë një situatë të rëndë që po zgjat prej më shumë se dy muajsh, pas ndërhyrjes së Ujësjellës-Kanalizime Kamëz. Sipas tyre, punonjësit e këtij institucioni hapën një kanal për punime dhe më pas e braktisën pas vetëm 2-3 ditësh pune, duke lënë pas një gropë të mbushur me ujëra të zeza, në mes të rrugës kryesore që të çon drejt aeroportit. Përveç pamjes së shëmtuar, situata është kthyer në rrezik për shëndetin publik.
“Përshëndetje JOQ, doja të ndaja me ju këtë video. Kjo është hapur prej më shumë se 2 muajsh nga Ujësjellës-Kanalizime Kamëz në zonën e Valiasit dhe është lënë ashtu. Vjen një erë e tmerrshme dhe mushkonjat janë shtuar shumë. Kemi hallin mos na del ndonjë sëmundje. Nuk mund të rrinë ujërat e zeza kështu hapur, në këtë temperaturë. Është në rrugën kryesore të Valiasit, ku kalojnë shumë makina për në aeroport. Ujësjellësi e ka lënë në këtë gjendje, punuan 2-3 ditë dhe e lanë kështu. Kanë kaluar mbi 2 muaj tashmë. Faleminderit nëse e postoni” shprehen ata.
Banorët raportojnë një erë të padurueshme dhe shtim të jashtëzakonshëm të mushkonjave, duke ngritur shqetësime serioze për përhapjen e sëmundjeve, sidomos në temperaturat e larta të verës. Ata i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërhyrje të menjëhershme, duke kërkuar që të mbyllet gropa dhe të zgjidhet përfundimisht ky problem. Sipas denoncimit, janë bërë disa tentativa për t’u ankuar, por deri tani asnjë reagim nuk është marrë nga Ujësjellës-Kanalizime Kamëz, që sipas banorëve, është përgjegjës direkt për këtë gjendje.