U mbajt “Fli Fest” në Podujevë, festivali i parë kushtuar flisë tradicionale

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 17.08.2025, 12:42

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, mbrëmë në sheshin “Katër Dëshmorët” në Podujevë është mbajtur edicioni i parë i festivalit “Fli Fest”, një ngjarje që synon të promovojë trashëgiminë kulturore dhe kulinarinë tradicionale shqiptare.

Festivali mblodhi pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët prezantuan mënyra të ndryshme të përgatitjes së flisë, një ndër gatimet më autentike të kuzhinës shqiptare.

Ky bashkëdyzim kulturash dhe recetash e shndërroi Podujevën në një pikëtakim shijesh, duke përçuar mesazhin e unitetit dhe pasurisë kulturore mbarëkombëtare.

“Qëllimi i këtij festivali është të promovojë traditën tonë dhe njëkohësisht të nxisë turizmin lokal, duke e vendosur Podujevën në hartën e aktiviteteve kulturore dhe gastronomike të Kosovës,” u tha në njoftimin zyrtar të Komunës së Podujevës.

Në hapje të festivalit, të pranishmit i përshëndeti Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica, e cila falënderoi grupet pjesëmarrëse për kontributin dhe bashkëpunimin në këtë iniciativë të re kulturore.

“Fli Fest” u prit me interes të madh nga qytetarët dhe vizitorët, duke dhënë sinjal pozitiv për edicionet e ardhshme të këtij festivali që tashmë është pozicionuar si pjesë e rëndësishme e kalendarit kulturor të Podujevës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit