Papërgjegjshmëria e vizitorëve dhe neglizhenca e bashkisë Durrës ndotin plazhin e Fllakës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 17.08.2025, 12:35

Plazhi i Fllakës në Durrës, një nga zonat bregdetare më të vizituara gjatë sezonit veror, është kthyer në një vendgrumbullim mbeturinash. Pamjet dhe reagimet nga qytetarët tregojnë qartë degradimin e këtij plazhi, ku rëra është mbuluar nga kanaçe, qese dhe shishe plastike. Mungesa e pastrimit dhe mirëmbajtjes ka sjellë një ndotje të dukshme, duke e kthyer këtë zonë në një ambient të padenjë për pushuesit.

Qytetarët që frekuentojnë plazhin janë të indinjuar dhe shprehen se është turp që vetë shqiptarët ndotin vendin e tyre, por më e pafalshme është shpërfillja e institucioneve që duhet të kujdesen për pastrimin dhe menaxhimin e këtyre hapësirave publike. Ata apelojnë për ndërgjegjësim dhe përfshirje qytetare, por edhe për përgjegjësi institucionale.

Edhe bashkia e Durrësit me kryetare Emirjana Sako kritikohet për mosmarrjen e asnjë mase konkrete në lidhje me pastrimin dhe administrimin e këtij plazhi. Pavarësisht fluksit të turistëve dhe të ardhurave që zona gjeneron, mungon një plan i qartë për mirëmbajtjen e vijës bregdetare. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të rikthyer higjienën dhe dinjitetin e kësaj hapësire publike.

"Përshëndetje! Ja situata në Plazhin e Fllakës në Durrës dhe besoj se kjo është realiteti edhe në shumë zona të tjera. Plazhi i Fllakës në Durrës është kthyer në kazan plehrash. Turp për ne! Si mund ta quajmë veten shqiptarë kur e shkatërrojmë vendin tonë me duart tona? Çdo hap që hedh në rërë, shkel mbi kanoçe, qese e shishe plastike. Merr një qese, mblidhi dhe hidhi në shtëpi. Ky vend nuk është i askujt tjetër... është i yti, i imi, i fëmijëve tanë. Nëse e do Shqipërinë, mos e ndot. Nëse e ndot, mos u anko kur ajo të të kthejë shpinën", thuhet në denoncimin e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit