Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ një ngjarje të paprecedentë që ka ndodhur në varrezat e Sharrës në Tiranë. Sipas denoncimit, pothuajse të gjitha hekurat që rrethojnë varrezat janë vjedhur, duke lënë të hapur dhe të pambrojtur hapësirën ku prehen të ndjerët. Pamjet dhe informacionet e dërguara tregojnë një situatë shqetësuese që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse.
Qytetari apelon për ndërgjegjësim publik, duke theksuar se kjo vepër jo vetëm që cenon pronën publike, por përbën një fyerje të rëndë ndaj dinjitetit të të vdekurve dhe familjeve të tyre. “Përshëndetje JOQ, desha të ndaj me ju një skandal që ka ndodhur në varrezat e Sharres. Janë vjedhur pothuajse të gjitha hekurat e rrethimit të varreve. Ju lutem ta bëni publike për t’u ndërgjegjësuar, pasi dhe të vdekurit nuk po gjejnë qetësi.”, shprehet ai i revoltuar, duke kërkuar që rasti të bëhet publik dhe të ndërmerren masa konkrete për ndalimin e këtyre akteve të turpshme.
Në një kohë kur varrezat duhet të jenë vend prehjeje dhe respekti, mungesa e sigurisë dhe vëmendjes institucionale ka lënë vend për vandalizëm dhe abuzim, duke tronditur opinionin publik. Banorët kërkojnë reagim urgjent nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet përgjegjëse, si dhe vendosjen e kamerave dhe rojës për të parandaluar përsëritjen e kësaj ngjarjeje të turpshme.