Një qytetar ka dërguar në redaksinë e JOQ pamje që tregojnë gjendjen skandaloze të banjove publike në plazhin e Velipojës, një ndër destinacionet më të frekuentuara të verës. Në pamjet e dërguar, shihen ambiente të lëna në mëshirë të fatit, me ndotje, mungesë pastrimi dhe kushte që i bëjnë të papërdorshme për pushuesit.

Qytetari që ka dërguar denoncimin shkruan se ka vite që askush nuk merret me këto banjo, pavarësisht se në Velipojë vijnë mijëra turistë çdo ditë. Nga jashtë duket mirë, por kur kalon derën nuk të bëhet me hyrë aty. Zero pastërti. Sipas tij, është turp që vizitorët e huaj të shohin banjot publike të Shqipërisë në këtë gjendje.

“Përshëndetje, a mund të postoni këto foto nga banjot publike në plazhin e Velipojës, ku mijëra njerëz vijnë për pushime. Shikoni gjendjen e banjove, dhe ka disa vite që s’merret kush me to. Është turp që të huajt të vijnë dhe të shohin banjot tona në këto kushte. Tag Edi Ramën nëse doni. Nga jashtë duket mirë, por kur kalon derën, s’të bëhet me hyrë aty, zero pastërti”, shkruan denoncuesi.

Bashkia Shkodër dhe kryetari Benet Beci, të cilët janë përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në këtë zonë, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete për ta zgjidhur këtë problem, që përsëritet çdo sezon. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe rikthimin e standardeve bazë të higjienës në shërbimet publike.
