Një tjetër skandal me paratë publike po shfaqet në horizont: Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka shpallur një tender prej 2.1 milionë eurosh për ndërtimin e një sistemi antidron në burgjet e Shqipërisë. Zyrtarisht, arsyeja janë “dronët që përdoren nga krimi për kontrabandë dhe arratisje”. Por në prapaskenë, burime nga administrata tregojnë për mediat se fituesi i paracaktuar është sërish kompania e njohur “Albascan”.

E krijuar në vitin 2017, “Albascan” raportonte një xhiro modeste prej vetëm 50 mijë eurosh në vit. Pas blerjes nga vëllezërit Elton dhe Elision Jorgjis në 2019, kompania njohu një ngjitje të rrufeshme: në vetëm katër vite, arriti të arkëtojë miliona euro nga Thesari i Shtetit, duke u shndërruar në një nga përfitueset më të mëdha të kontratave publike. Sot, “Albascan” qarkullon mesatarisht 1.8 milionë euro në muaj nga buxheti i shtetit.
Sekreti i këtij “suksesi”? Partneriteti i ngushtë me Advanced Business Solutions (ABS) të Gerond Meçes, një emër i përfolur nga opozita si i lidhur me njerëz shumë afër Kryeministrit. Së bashku, këto dy kompani kanë përfituar:
6 milionë € për sistemet e sigurisë në burgje,
16 milionë € për laboratorët “smart” në shkolla,
dhe një sërë kontratash të tjera për kamera e pajisje skanimi.
Ky binom Albascan–ABS është kthyer në paketën e preferuar të institucioneve publike, pavarësisht akuzave për klientelizëm.
Përvoja ka treguar se shumë nga sistemet e instaluara prej këtyre kompanive nuk funksionojnë siç duhet. Kamerat “e mençura” dështojnë, skanerët bllokohen, por kompanitë arkëtojnë miliona pa asnjë penalitet real. Në fund, përgjegjësia bie mbi gardianët, ndërsa qytetarët paguajnë faturën.
Tenderi antidron, i paraqitur si një masë emergjente për sigurinë, duket më shumë si një tjetër skemë për të ushqyer “bizneset e preferuara” të pushtetit, sesa një garanci për burgje të sigurta.