Mëngjesin e sotëm, fluturimi Tiranë–Memmingen i Wizz Air u detyrua të kthehej në Aeroportin e Rinasit pasi një zog goditi xhamin e kabinës së pilotit. Avioni, i nisur në orën 07:20, u ul përsëri në Rinas rreth orës 07:40, duke krijuar shqetësim te pasagjerët që mbetën pa informacion dhe me pritje të gjatë për një avion zëvendësues.
Pas lajmit të publikuar, Wizz Air reagoi duke theksuar se incidenti ishte për shkak të goditjes nga zogjtë. Në reagimin zyrtar, Wizz Air shkruan se incidenti ishte jashtë kontrollit të tyre dhe duke u fokusuar në “sigurinë” dhe “përkushtimin” e pretenduar, pa adresuar asnjëherë mungesën e komunikimit dhe kujdesit ndaj pasagjerëve gjatë krizës. Ky reagim duket si një standard i përsëritur që nuk arrin të zbusë frustrimin e udhëtarëve të lënë në baltë.
Reagimi WIZZ AIR
Për shkak të një goditjeje nga zogjtë menjëherë pas ngritjes në fluturimin e sotëm nga Tirana për në Memmingen, avioni u detyrua të kthehej në Rinas për arsye sigurie. Siguria është gjithmonë prioriteti ynë kryesor dhe avioni duhej t’i nënshtrohej mirëmbajtjes së papritur.
Ne e kuptojmë shqetësimin që kjo shkaktoi dhe sigurojmë pasagjerët tanë se ekipet tona punuan për të siguruar një avion zëvendësues sa më shpejt të ishte e mundur. Pasagjerët që kanë rezervuar direkt me Wizz Air janë njoftuar përmes kanaleve tona të komunikimit.
Megjithëse kjo situatë ishte përtej kontrollit tonë, ne mbetemi të përkushtuar të ofrojmë udhëtime të sigurta dhe të besueshme për të gjithë klientët tanë.