Olsieni heroi shqiptar i Greqisë! Hyri mes flakëve për të shpëtuar kafshët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.08.2025, 15:56

Mes flakëve shkatërruese që përfshinë rajonin e Patrës në Greqi, një akt guximi dhe humanizmi preku zemrat e mijëra qytetarëve. Olsien Muçobega, një 33-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, u kthye në simbol të shpresës dhe solidaritetit, pasi u fotografua duke shpëtuar një dele me motorin e tij nga zjarri.

Pamjet prekëse u bënë virale në rrjetet sociale dhe në mediat greke, ku Olsieni u vlerësua për trimërinë dhe ndjeshmërinë e treguar. Sipas medias greke Protothema.gr, ai nuk u mjaftua vetëm me shpëtimin e deles, por bashkë me miqtë e tij ndihmoi në evakuimin e shumë kafshëve të tjera, përfshirë qentë që ishin lënë të lidhur nga pronarët e tyre në përpjekje për të shpëtuar veten.

“E di sa kafshë shpëtuam atë ditë? Dhe shumë qenë të lidhur… Të ikësh dhe t’i lësh kafshët të lidhura, kjo nuk është harresë. Është krim”-është shprehur ai për mediat greke.

I mbërritur në Greqi nga Tepelena në moshën trevjeçare, ai është rritur në një familje të thjeshtë dhe ka punuar që në moshë të vogël për të ndihmuar familjen. Megjithë kontributin e tij në shoqëri, ai ende përballet me vështirësi burokratike për marrjen e shtetësisë greke.

“Duhej ta kisha marrë pasaportën greke me kohë…” – shprehet ai me trishtim.

Në ditën tragjike të zjarrit, Olsieni ndodhej në terren për të ndihmuar zjarrfikësit dhe banorët. Dashuria për kafshët dhe ndjeshmëria ndaj dhimbjes, siç thotë ai vetë, ishin forca që e shtynë të veprojë.

“Jam i çmendur pas kafshëve”, thotë me buzëqeshje, ndërsa mohon të jetë hero. Por për shumëkënd, ai është pikërisht një hero i heshtur që dëshmon se edhe në kohët më të errëta, njerëzimi mund të ndriçojë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit