Këtë sezon turistik, nga jugu i vendit kanë ardhur një sërë denoncimesh për çmimet abuzive në bregdet. Pushuesit raportojnë se shërbimet dhe produktet ushqimore shpesh shiten me çmime shumë më të larta se në kryeqytet, pa asnjë arsye të dukshme.
Një qytetar ka zgjedhur të ndajë me redaksinë tonë një rast që e ka shqetësuar veçanërisht. Teksa kishte vendosur të pushonte në zonën turistike të Dhërmiut, ai hyri në një dyqan për të blerë një molto për të thyer urinë, por mbeti i shokuar. Çmimi ishte dy herë më i lartë se në kryeqytet, dhe mbi të gjitha, moltoja që bleu ishte e skaduar.
Ky incident nuk tregon vetëm për abuzimin me çmimet, por evidenton edhe një problem më të madh: mungesën e kontrollit dhe mbikëqyrjes nga institucionet përkatëse. Situata lë turistët të ekspozuar ndaj praktikave të padrejta në një nga destinacionet më të vizituara të verës, duke e kthyer eksperiencën e pushimeve në një sfidë të pakëndshme për shumë vizitorë.