Vrasja e 14-vjeçarit: Autori xhiroi gomat përpara lokalit, viktima u vetëmbrojt me karrige

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.08.2025, 13:00

Zbardhen detaje të reja nga vrasja tronditëse e 14-vjeçarit Erald Xhejo, ngjarje e ndodhur më 14 gusht në fshatin Pirg të Maliqit. Sipas dosjes hetimore, autori, gjithashtu 14 vjeç, kishte shfaqur sjellje provokuese disa ditë para ngjarjes, duke xhiruar gomat para lokalit të xhaxhait të viktimës në fshatin Zvirinë.

Ditën e krimit, Erald Xhejo dhe një shok i tij kishin shkuar për t’u qethur pranë lokalit ku ndodhi ngjarja. Pasi kanë parë autorin duke kaluar me makinë, i kanë fishkëllyer për të sqaruar një konflikt të mëparshëm. Debati verbal u përshkallëzua shpejt në përplasje fizike. Autori nxori një thikë, ndërsa Eraldi tentoi të vetëmbrohej me një karrige. Gjatë përplasjes, ai u pengua dhe ra, moment që autori e shfrytëzoi për ta goditur me thikë në zemër, plagë fatale që i mori jetën më vonë në spital.

Ngjarja u regjistrua nga kamerat e sigurisë së lokalit.

Policia ka arrestuar tetë persona lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Mes tyre janë autori i dyshuar, babai dhe xhaxhai i tij, katër të mitur të tjerë të pranishëm gjatë konfliktit, si dhe 34-vjeçari Flori Çela, i cili tentoi të ndihmonte autorin të largohej pas krimit.

Babai dhe xhaxhai i autorit akuzohen për fshehjen e thikës dhe pengim të hetimeve, ndërsa katër të miturit e tjerë për pengim të zbardhjes së së vërtetës. Ndaj autorit rëndojnë akuzat për vrasje me dashje dhe drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.

Sipas burimeve, konflikti mes të miturve kishte nisur disa muaj më parë për motive banale, të natyrës “pse më shikon” apo “pse më shan”. Autori njihej në rrjete sociale për sjellje provokuese, duke postuar foto me armë dhe mesazhe të natyrës sfiduese.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ndezur alarmin për rritjen e dhunës mes të miturve në Shqipëri. Hetimet vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit