Skandalet e sigurisë ushqimore në vend nuk kanë fund. Pas rasteve të mëparshme ku ushqimet ishin të kontaminuara me krimba, një denoncim i fundit tregon një realitet edhe më shqetësues: qumështi transportohet në mënyrë të papërgjegjshme, duke kërcënuar seriozisht shëndetin e konsumatorëve.
Një qytetare ka denoncuar për JOQ mënyrën alarmante se si qumështi lëviz nga dyqani në dyqan. Në vend të fugonëve frigoriferikë, ai transportohet në kamionçina të hapura, të ekspozuara direkt në diell në temperatura që arrijnë deri në 40 gradë.
Ky produkt bazë përfundon në tryezat e shqiptarëve, ku konsumohet nga fëmijët më të vegjël deri tek të moshuarit, duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve të mëdha shëndetësore.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nën drejtimin e Manush Kullollit, vazhdon të qëndrojë pasiv, duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit. Rastet e përsëritura tregojnë qartë se pa ndërhyrje urgjente, konsumatorët do të mbeten pre e rreziqeve ushqimore që mund të kenë pasoja serioze.