Samiti në Alaskë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin është pritur me kritika të ashpra nga mediat dhe zyrtarët ukrainas. Gazeta The Kyiv Independent e cilësoi takimin si “të neveritshëm, të turpshëm dhe në fund, të padobishëm”, duke theksuar se Trump nuk arriti të përmbushte paralajmërimet për pasoja ndaj Rusisë. Sipas gazetës, samiti i shërbeu Putinit për të rikthyer legjitimitetin ndërkombëtar dhe për t’u pranuar nga udhëheqësi i botës së lirë.
Reagime të ngjashme erdhën edhe nga gazetarë dhe politikanë të tjerë ukrainas. Gazetarja Kristina Berdinskikh shkroi: “Njëqind komplimente për Putinin, një qilim i kuq, avionë luftarakë në qiell dhe asgjë në fund”, duke ironizuar ceremoninë dhe mungesën e rezultateve konkrete. Ndërkohë, Presidenti Trump është kritikuar për mosarritjen e një armëpushimi në konfliktin në Ukrainë, që ishte një nga pritshmëritë kyçe të takimit.
Deputeti ukrainas Yaroslav Zheleznyak e përshkroi takimin si “një hiç të madhërishëm amerikan”, ndërsa aktivisti dhe ish-deputeti Mustafa Nayyem deklaroi se SHBA i ishte bashkuar atyre që besojnë se mund të shtrëngojnë duart me “xhelatin”, pa lyer duart me gjak. Kritikët ukrainas e panë këtë samit si një lëshim të panevojshëm ndaj Kremlinit dhe një zhgënjim për aleatët perëndimorë të Ukrainës.