Eduart Lami del nga burgu, asnjë akuzë për vrasjen e postierit Visha

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.08.2025, 13:29

Eduart Lami, i arrestuar pas vrasjes së bujshme të postierit Lulzim Visha në Zall Mner, është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Tiranës, pasi ndaj tij nuk u gjetën prova për përfshirje në krim.

Fill pas ekzekutimit mafioz të Vishës më 24 janar 2025, policia ushtroi kontrolle të shumta në banesa të lidhura me personat e dyshuar. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Ervis Lamit, kushëri i Eduartit, u gjet një armë zjarri pa leje, për të cilën u arrestua Eduart Lami.

Ai u dënua me 10 muaj burg për armëmbajtje pa leje, por duke qenë se e kishte vuajtur këtë periudhë në paraburgim, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm. Lami kishte qëndruar në izolim që nga janari 2025.

Megjithëse mbajti Eduart Lamin në paraburgim për më shumë se gjashtë muaj, prokuroria nuk arriti të sigurojë prova konkrete që ta lidhnin atë me ekzekutimin e Vishës. Hetimet për zbardhjen e vrasjes po vijojnë, ndërsa autorët mbeten ende të paidentifikuar.

Postieri Lulzim Visha u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në makinën e tij, në rrugët e fshatit Zall Mner, mëngjesin e 24 janarit. Ngjarja u konsiderua që në fillim si një vrasje me tipare mafioze. Policia ka ngritur disa pista hetimi. Njëra lidhet me një konflikt për pronën mes viktimës dhe Ervis Lamit, i cili konsiderohet një emër i njohur në botën e krimit dhe është aktualisht nën hetim për vepra të tjera penale. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se në të kaluarën Visha dhe Lami ishin përplasur edhe fizikisht.

Pista tjetër që nuk është përjashtuar nga hetimet lidhet me një hakmarrje të mundshme, pasi vëllai i viktimës, në vitin 1997 kishte vrarë një person me emrin Refik Domi. Megjithatë, ai e ka përfunduar dënimin, dhe deri tani nuk ka pasur konflikt të dokumentuar mes familjeve Visha dhe Domi. Hetimet për zbardhjen e autorëve të krimit vijojnë, ndërkohë që ngjarja mbetet ende pa një zgjidhje të plotë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit