Babai që vrau me breshëri kallashnikovi vajzën e tij shtatzënë kërkon ulje dënimi

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.08.2025, 12:40

Doksan Dushku, 80-vjeçari nga Dibra i dënuar me 16 vite burg për vrasjen makabre të vajzës së tij shtatzënë në vitin 2014, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesë për ulje të dënimit.

Krimi tronditës ndodhi në maj të vitit 2014, në fshatin Sllatinë të komunës Sllovë, ku Dushku vrau me kallashnikov të bijën, Fatmira Doksani, 21 vjeçe, e cila ishte në muajt e parë të shtatzënisë. Sipas hetimeve, shkak i ngjarjes ishte mospranimi nga ana e babait i shtatzënisë së vajzës jashtë martese.

Dushku u arrestua dhe më pas u dënua në vitin 2015 nga Gjykata për Krimet e Rënda me 21 vite burg, të cilat u reduktuan në 16 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli.

Por pas 11 vitesh nga krimi, ai ka dorëzuar një rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon shfuqizimin e vendimit penal, duke pretenduar se dënimi i tij është i pajustifikuar ligjërisht për shkak të një vendimi të mëvonshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar një paragraf të nenit për bashkimin e dënimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Në rekursin e depozituar, ai nuk kërkon pafajësi, por rishikimin e vendimit dhe dënim sipas përllogaritjes së re ligjore. Në thelb, ai kërkon që dënimi të përcaktohet si 21 vite burg, e që më pas me uljen nga gjykimi i shkurtuar të shkojë në 14 vite, ose të konsiderohet ezauruar pjesërisht nga vuajtja deri tani.

Në deklaratat e tij gjatë hetimit, Dushku ka pranuar krimin, duke thënë se ishte motivuar nga "turpi" që vajza e tij kishte mbetur shtatzënë jashtë martese, fakt që për të ishte i papranueshëm.

Rasti u konsiderua nga opinioni publik si një nga krimet më të rënda në familje, dhe rikthimi i tij në vëmendje përmes kërkesës në Gjykatën e Lartë ka nxitur sërish debat mbi tolerancën ndaj dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit