Pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën 14-vjeçari Erald Xhejo, familja e autorit të dyshuar është larguar nga banesa e tyre në fshatin Leminot për arsye sigurie.
Shtëpia e familjes Guri është mbyllur, ndërsa banorët janë zhvendosur, pavarësisht se kryefamiljari ndodhet tashmë në burg pas arrestimit. Edhe lokali ku ndodhi përleshja fatale ka qëndruar i mbyllur gjatë gjithë ditës së sotme.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se konflikti mes dy adoleshentëve nuk ishte i rastësishëm, por kishte nisur rreth një vit më parë. Takimi i djeshëm, i cili filloi me një debat të tipit “pse më shikon”, përshkallëzoi në përdorimin e thikës që 14-vjeçari Enedio Guri mbante me vete.
Autori i dyshuar ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike, gjë që ka penguar marrjen e menjëhershme të dëshmisë së tij. Hetuesit pritet ta marrin në pyetje sot, në praninë e avokatit, psikologut dhe familjarëve.
Sipas raportit të ekspertizës mjeko-ligjore, viktima ka humbur jetën si pasojë e një goditjeje të vetme me thikë në zemër. Plaga ka rezultuar fatale, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të të miturit në vendngjarje.