Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës në lagjen nr. 16 të Korçës, ku futbollisti egjiptian i Skënderbeut, Saleh Nasr Salem, është dhunuar fizikisht nga një grup të rinjsh.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja nuk lidhet me aktivitetin e tij sportiv, por ka ardhur pas një konflikti verbal mes palëve, i cili ka përfunduar në përplasje fizike. Të rinjtë korçarë e kanë goditur disa herë në kokë futbollistin dhe duke i shkaktuar plagë të rënda, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve.
Për ngjarjen janë arrestuar dy persona: Vangjel Jovani, 24 vjeç dhe Thanas Veshi, 24 vjeç, të dy banues në fshatin Polenë dhe të akuzuar për plagosje të rëndë me dashje.
Ndërkohë, tre të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë si të përfshirë në sherrin fizik: Th.V., 32 vjeç, A.Xh., 23 vjeç dhe J.O., 24 vjeç.
Gjithashtu, Dh.M., 25 vjeç, është proceduar për moskallëzim krimi, pasi ka pasur dijeni për konfliktin dhe nuk e ka raportuar.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë individuale të të përfshirëve.