Shqipëria po kalon një nga periudhat më kritike të zhvillimeve demografike që prej viteve ’90, me tregues që paralajmërojnë një rënie të vazhdueshme të lindjeve në vitet në vijim. Shenja më e qartë e kësaj tendence është numri gjithnjë e më i ulët i martesave. Gjatë vitit 2024, u regjistruan vetëm 16,120 martesa – niveli më i ulët historik që nga viti 1990.
Sipas të dhënave të INSTAT të përpunuara nga Monitor, ky numër përfaqëson një rënie prej 7.7% krahasuar me vitin 2023, kur ishin regjistruar 17,467 martesa. Në krahasim me vitin 2021, që shënoi kulmin e dekadës me 19,709 martesa, rënia arrin mbi 18%. Ndërkohë që në vitin 1990, në vend ishin regjistruar gati 29 mijë martesa, gati dy herë më shumë se sot.
Zhvillimet nuk janë të papritura për ekspertët, të cilët theksojnë se numri i martesave ka ndjekur një rënie ciklike, të lidhur ngushtë me dinamikat shoqërore dhe ekonomike të vendit. Pas një goditjeje të fortë në fillim të viteve ’90 për shkak të emigracionit masiv dhe krizës ekonomike, ndodhi një rimëkëmbje në fund të dekadës dhe fillim të viteve 2000. Megjithatë, pas vitit 2010, trendi rënës rifilloi dhe u përshpejtua ndjeshëm pas pandemisë.
Pandemia e vitit 2020 uli ndjeshëm numrin e martesave në 17,473. Pavarësisht një rritjeje të përkohshme në 2021 për shkak të shtyrjes së ceremonive, rënia vijoi me ritme të qëndrueshme: 18,781 martesa në 2022, 17,467 në 2023 dhe 16,120 në 2024.
Rënia e martesave lidhet kryesisht me emigracionin e lartë të të rinjve, pasiguritë ekonomike, rritjen e kostos së jetesës dhe mungesën e politikave stimuluese për të rinjtë. Më shumë se kurrë më parë, çiftet shqiptare po zgjedhin të bashkëjetojnë pa u martuar, të vonojnë vendimet për krijimin e familjes ose të ndërtojnë jetën e tyre jashtë vendit.
Shqipëria mbetet ndër vendet me mbështetjen më të ulët publike për familjet e reja në Europë, si në ndihma financiare ashtu edhe në aksesin ndaj shërbimeve thelbësore si banimi, arsimi dhe kujdesi për fëmijët.
Rënia e martesave përkthehet drejtpërdrejt në ulje të lindjeve dhe plakje të shpejtë të popullsisë. Edhe çiftet që bashkëjetojnë shpesh vendosin të kenë më pak fëmijë ose t’i vonojnë lindjet për më vonë.
Të dhënat për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 tregojnë se lindjet kanë rënë me 6.5%, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë është pothuajse në nivel zero. Në qytete si Kukësi, Gjirokastra dhe Pogradeci, rënia ka arritur në mbi 35%.
Ndërkohë që vendet e tjera të Europës po zbatojnë politika aktive për nxitjen e lindshmërisë dhe mbështetjen e familjeve të reja, Shqipëria nuk ka ende një strategji kombëtare afatgjatë për të përballuar këtë krizë në zhvillim.
Sociologët dhe ekspertët paralajmërojnë se, nëse trendi aktual vazhdon, vendi do të përballet me pasoja serioze: mungesë të fuqisë punëtore, vështirësi në mbulimin e sistemit të pensioneve, dhe rritje të presionit mbi ekonominë dhe sistemet sociale.